Dr.sc.Mensut Ademi
Vitet e fundit radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë shndërruar në fjalë kyçe të studimeve, raportimeve të medias dhe të punës së agjencive ligjzbatuese të shteteve evropiane. Me gjithë seriozitetin dhe shkallën e rrezikut që i paraqitet sigurisë kombëtare të shteteve dhe rajonit sot nuk ka ende një përkufizim të qartë dhe të pranuar gjerësisht
për radikalizmin dhe ekstremizmin
e dhunshëm.10 Përtej boshllëkut dhe konfuzionit që karakterizon debatet epistemologjike dhe studimet teorike në këtë fushë, mospasja e përkufizimeve të qarta për këto koncepte lidhet dhe me problemin praktik të identifikimit dhe kuptimit sa më të plotë të kërcënimit
të shfaqur dhe rrjedhimisht mënyrës
se si duhet të përballemi me të.
Borum (2011) sugjeron se “qeveritë
dhe organizatat përgjegjëse për sigurinë kombëtare duhet të përpiqen në mënyrë të bashkërenduar për të përkufizuar konceptet “radikalizëm” dhe “ekstremizëm”, pikë së pari pasi
kjo lidhet me rezultate strategjike”.
Në diskutimet e vazhdueshme rreth terrorizmit, termat “radikal” dhe “ekstremist” përdoren masivisht dhe shpesh të në vend të njëra tjetrës. Sipas Sedgwick (2010) termi “radikal” është shndërruar në një “fjalë standarde për të përshkruar çfarë ndodh përpara se të shpërthejë një “bombë”. Nga ana tjetër, termi “ekstrem” në një kuptim konvencional i referohet devijimit nga norma, ndonëse kaq nuk mjafton për të përkufizuar një kërcënim të sigurisë.
Duke iu referuar Fjalorit të Gjuhës Angleze të Oksfordit (Oxford English Dictionary), fjala “ekstremist”
përkufizohet si “një person i cili ka pikëpamje ekstreme politike ose fetare, veçanërisht dikush i cili mbështet veprime të paligjshme, të dhunshme apo ekstreme”.11 Ndërsa një kuptim i fjalës “radikal” është “përfaqësimi apo mbështetja e një seksioni ekstrem të një partie”. Në këtë kontekst, termi “radikal” mund të përdoret si sinonim për “ekstremist” dhe antonim i “moderuar”. Sipas Sedgwick (2010), fjala “radikal” shërben për të treguar një pozicion relativ në një hapësirë opinioni
të organizuar. Rrjedhimisht, fjala “radikalizim” nënkupton lëvizjen brenda kësaj hapësire. Përdorimi i këtij termi në kuptimin relativ duket jo problematik. Megjithatë, me të drejtë Sedgwick thekson se sipas këtij përkufizimi është e vështirë të dallosh apo heqësh vijën ndarëse midis një mendimi radikal dhe një mendimi të moderuar.
“Radikalizmi” përdoret në literaturë
në dy kuptime: atë të ngushtë dhe të gjerë të fjalës. Në kuptimin e ngushtë, theksi vihet mbi radikalizmin e dhunshëm, i cili konsiston në veprime aktive apo pranimin e dhunës si mjet për arritjen e objektivave të caktuara. Ndërsa në një kuptim më të gjerë të radikalizmit, vëmendja shtrihet mbi të gjitha veprimet aktive apo pranimin
e ndryshimeve madhore në shoqëri,
të cilat mund të përbëjnë ose jo në rrezik për demokracinë dhe mund
të përfshijnë ose jo rrezikun apo përdorimin e dhunës për arritjen e objektivave të shpalosura. Megjithatë, në shumë raste termi “radikalizim” ngatërrohet me “terrorizëm”. Borum (2011) nënvizon se duhet mbajtur parasysh që shumica e njerëzve që kanë bindje radikale nuk përfshihen në terrorizëm, dhe shumë terroristë
– madje edhe ata që pretendojnë
të ndjekin ndonjë “kauzë”, nuk janë njohës apo mbështetës të fortë të
një ideologjie të caktuar dhe mund
të mos “radikalizohen” në një kuptim tradicional. Për këtë arsye, edhe fokusimi ngushtësisht në togfjalëshin “radikalizim ideologjik” rrezikon të na drejtojë në arritjen e konkluzioneve të gabuara duke cilësuar bindjet radikale si tregues të nevojshëm të terrorizmit. Radikalizmi përmes zhvillimit dhe përqafimit të bindjeve ekstremiste
që justifikojnë përdorimin e dhunës është një mundësi drejt përfshirjes në terrorizëm, por sigurisht që nuk është
e vetmja.14 Radikalizmi dhe rekrutimi për terrorizëm nuk kufizohen në një bindje politike apo fetare të vetme
dhe kjo është faktuar nga llojet e ndryshme të terrorizmit që Evropa ka përjetuar përgjatë historisë.15 Shumica e qytetarëve evropianë, pavarësisht besimit të tyre, nuk përqafojnë ideologji ekstremiste. Për më tepër, vetëm pak prej tyre që kanë bindje ekstremiste përfshihen në terrorizëm.16 Rezultatet
e sondazheve të kryera nga Gallup në dhjetë vende të ndryshme tregojnë se rreth 7% e popullsisë së përgjithshme të tyre janë mundësisht të prirur
ndaj pikëpamjeve ekstremiste apo ‘radikalë’, ndonëse shumica e tyre nuk ushtrojnë dhunë. Sipas të dhënave të analizuara nga Atran (2010) një tregues i besueshëm për përfshirjen ose jo të dikujt në ekstremizëm të dhunshëm lidhet me faktin e të qenit pjesëtar i
një grupi shokësh të përfshirë në një aktivitet të caktuar. Përfshirja në grupe dhe aktivitete terroriste lidhet me shumë arsye të ndryshme. Ideologjia dhe veprimi janë ndonjëherë të ndërlidhura, por jo gjithmonë. Nevojitet që të kuptojmë dallimet midis bindjeve radikale në vetvete dhe veprimeve të dhunshme.
Studiues të ndryshëm kanë ofruar përkufizime të ndryshme mbi radikalizmin. Kështu, sipas McCauley dhe Moskalenko (2008) radikalizmi është “ekstremiteti në rritje i bindjeve, ndjenjave dhe sjelljeve në drejtim
të justifikimit gjithmonë e më tepër
të dhunës ndërmjet grupeve dhe kërkesës për sakrificë ndaj grupit”.19 Ndërsa sipas Crosset dhe Spitaletta (2010) radikalizmi nënkupton “procesin përmes të cilit një individ, grup njerëzish i nënshtrohen një transformimi nga pjesëmarrja në procesin politik me mjete të ligjshme në mbështetjen
apo përdorimin e dhunës për qëllime politike.”Duke e parë ekstremizmin e krijuar brenda vendit si një proces të vazhdueshëm të të mësuarit transformues, Wilner dhe Dubouloz (2010) sugjerojnë se “radikalizmi është një proces personal në të cilin individi përshtat ideale dhe aspirata ekstreme politike, shoqërore, dhe/apo fetare, dhe ku arritja e objektivave të caktuar justifikon përdorimin pa dallim të dhunës”.
Por a mund të konsiderohen të
gjitha proceset radikalizuese dhe bindjet ekstreme si një kërcënim
për sigurinë e një vendi apo më
gjerë dhe, rrjedhimisht, të meritojnë vëmendjen dhe ndërhyrjen e agjencive ligjzbatuese? A nevojitet që ndërhyrja institucionale të kushtëzohet nga prania e dhunës së shfaqur në kuadër të ideologjive ekstreme dhe cila do të ishte rëndësia e këtyre ideologjive në mungesë të akteve të dhunës?
Përtej interpretimeve të doktrinave fetare, është e nevojshme që të shqyrtohen me kujdes të gjitha ideologjitë ekstremiste duke bërë dallimet midis tyre dhe veçuar ideologjitë, të cilat nxisin dhe lehtësojnë kalimin nga të menduarit radikal në të vepruar të dhunshëm. Kështu për shembull, Jordan dhe Boix
sugjerojnë disa elementë përkufizues për ideologjitë Islamike që mund të paraqesin një shqetësim për sigurinë, veçanërisht ata që janë përjashtuese apo anti-demokratike, që fajësojnë Perëndimin për të gjitha problemet e vendeve me shumicë myslimane, dhe mund të mbështesin (drejtpërdrejtë apo tërthorazi) ose tolerojnë akte terroriste. Sipas Borum (2011) “kjo duket të jetë një pikënisje e arsyeshme, të paktën për shtetet demokratike perëndimore”. Megjithatë, ai shton se “edhe sikur të injorohet larmishmëria
e ideologjive të dhunshme nëpër
botë dhe të limitohet fokusi në ideologjitë e Islamizmit militant, nuk
do ishte e qartë se ku ndahej kufiri”.
Neuman (2010) gjithashtu pohon se ideologji ekstreme janë ato të cilat kundërshtojnë parimet dhe vlerat themelore të një shoqërie dhe në kontekstin e shoqërive demokratike liberale kjo do të përkthehej në propagandim të supremacisë raciale apo fetare dhe/apo kundërshtim të
të drejtave universale të njeriut dhe parimeve themelore të demokracisë. Për më tepër, Neuman thekson se termi “ekstremist” mund të përdoret edhe për mënyrat e përdorura për arritjen e qëllimeve politike, të cilat karakterizohen nga mungesa e respektit për jetën, lirinë dhe të drejtat e tjetrit”.Për të theksuar pasojën e dhunshme nga radikalizimi dhe në mënyrë që të bëhet dallimi nga forma jo të dhunshme të të menduarit radikal disa studiues preferojnë të përdorin togfjalëshin “radikalizim i dhunshëm”.
Krahas përkufizimeve të mësipërme dhe të tjera të ofruara nga studiues të ndryshëm për termat “radikalizim” dhe “ekstremizëm i dhunshëm”, përkufizime të ngjashme janë krijuar edhe nga agjenci ligjzbatuese të shteteve evropiane për të lehtësuar punën e tyre në këtë drejtim. Kështu për shembull, Shërbimi Holandez
i Sigurisë (AIVD) e përkufizon radikalizmin si “gatishmëria në rritje
për të ndjekur dhe/apo mbështetur edhe përmes mjeteve jo demokratike nëse është e nevojshme, ndryshime madhore në shoqëri,’ të cilat bien ndesh apo paraqesin rrezik për rendin demokratik”.26 Ndërsa sipas Shërbimeve të Inteligjencës Daneze (PET), ‘radikalizmi i dhunshëm’ nënkupton ‘procesin përmes të cilit një person pranon në një masë të konsiderueshme përdorimin e mjeteve jo demokratike apo të dhunshme, duke përfshirë terrorizmin, në përpjekje për të arritur një objektiv të caktuar ideologjik ose politik”.27 Ndërsa në strategjinë kundër terrorizmit të Mbretërisë së Bashkuar radikalizmi përkufizohet si “procesi përmes të cilit njerëzit fillojnë të mbështesin ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, dhe në disa raste, u bashkëngjiten grupeve terroriste”.
Me gjithë mungesën e një përkufizimi të konceptit nga institucionet shqiptare, “rritja e radikalizmit fetar konsiderohet si një rrezik ndaj vlerave të harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror”. Megjithatë, ky rrezik klasifikohet i nivelit të dytë për sigurinë kombëtare, që do të thotë se ka gjasa të ulëta për t’u shfaqur, por do të kishte pasoja të larta për sigurinë.
Sipas(RADIKALIZMI FETAR DHE EKSTREMIZMI I DHUNSHËM NË SHQIPËRI)